“10 dhjetor”, Lugina tejet e diskriminuar!

166

ValonMegjithëse Serbia është në prag të hapjes për bisedime të disa kapitujve në procesin e integrimit të saj në BE; gjendja e tanishme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në fushën e të drejtave të njeriut (individuale dhe kolektive) po përkeqësohet vazhdimisht. Edhe gjatë vitit 2015, Qeveria e Republikës së Serbisë dhe institucionet e saj përgjegjëse nuk kanë treguar vullnet dhe gatishmëri as për respektimin e e standardeve që i garanton legjislacioni i brendshëm.

Serbia vazhdon të përpiqet t’i përkufizojë të drejtat e shqiptarëve në të drejta individuale duke i mohuar të drejtat e tyre kombëtare-kolektive. Modeli i taniëhsm kushtetues i Serbisë me legjislacionin përcjellës mbetet kësisoj pengesë serioze për të drejtat dhe zhvillimin e komuniteteve minoritare shoqërore në përgjithësi dhe ato kombëtare në veçanti.
Ndonëse ratifikuese e Konventave të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave dhe të drejtave të njeriut, Serbia në mënyrë sistematike i mohon shtetasve të saj me kombësi shqiptare realizimin e të drejtave që burojnë nga këto të standarde.
Nuk mund të thuhet se është realizuar qoftë edhe një projekt i vetëm jetik gjatë vitit 2015 i cili do të kishte pasur për qëllim përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon. Duke e vazhduar refuzimin për të drejtën për pjesëmarrje proporcionale etnike në institucionet publike; në përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip; në përdorim të lirë dhe zyrtar të simbolit kombëtar; në barazi ekonomike dhe investime të barabarta; në bashkëpunim pa pengesa me shtetin amë; në tekste shkollore kualitative; në siguri juridike dhe në ndërprerjen e presioneve dhe shantazheve të policisë politike përmes bisedave informative; e shumë të drejtave tjera; Serbia, në vazhdimësi po forcon shtypjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në komunën e Medvegjës, nuk pati mbase përsëri gjatë këtij viti asnjë interesim për kthimin e popullatës së zhvendosur dhe të dëbuar gjatë fundviteve ’90 dhe fillimvitet ‘2000, duke dëshmuar kështu mungesën e gatishmërisë dhe vullnetit politik për ballafaqim me të kaluarën diskriminuese me karakteristika të spastrimeve etnike.

Shteti vazhdoi këtë vit t’i trajtoj zyrtarisht shqiptarët me logjikën e rezultateve jolegjitime të regjistrimit të vitit 2011, sipas të cilit, në Serbi jetojnë aktualisht rreth 5 mijë shqiptarë. Kjo praktikë u zbatua gjatë këtij viti edhe ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar, si institucion i krijuar për respektimin dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve; ku numri i kuvendarëve u zvogëlua prej 29 në vetëm 15 anëtarë; por edhe ndaj buxhetit të KKSH-së. Aplikimi i këtyre statistikave jo të plota konsiderohet diskriminues edhe nga vetë Këshilli i Evropës, e cila e ka sugjeruar Serbinë që duhet të “të aplikojë me fleksibilitet të dhënat e regjistrimit në mjediset ku ai është bojkotuar”.

Edhe gjatë këtij viti; rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vazhdoi të mbetet i militarizuar jashtë çdo norme të standardeve ndërkombëtare, me njësi të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë serbe; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe e brezit kufitar në Medvegjë; duke e mbajtur rajonin në nje geto të pashpallur, që e pamundëson qarkullimin e lirë dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Përderisa Qeveria e Republikës së Serbisë frenon çdo mundësi e realizimit të synimeve që dalin nga Plani dhe Programi i qeverisë së vitit 2001; Qeveria e Republikës së Serbisë nuk ka shfaqur asnjë gatishmëri për ta rifilluar dialogun rreth “Planit Shtatëpikësh”, si bazë e dakorduar për dialog me përfaqësuesit politik shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës .

Nënpërfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucione publike paraqet shkelje të rëndë jo vetëm të standardeve të Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë. Mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe problemet rreth nostrifikimeve të atyre nga Shqipëria dhe Maqedonia; mungesa e teksteve shkollore dhe moslejimi i përdorimit të tyre nga Shqipëria dhe Kosova diskriminon rëndë nxënësit shqiptarë. Për muaj të tërë, donacioni i librave nga Kosova po mbahet i bllokuar në terminalin doganor në Preshevë për shkaqe të pranuara politike. Ndonëse hap pozitiv, zhvillimi i mëtejmë infrastrukturor i degës së fakultetit të Suboticës në Bujanoc, nuk zgjidh çështjet e problemit të arsimit për qytetarët shqiptarë në Serbi.

Përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare shqiptare mbetet ende peng i ligjeve diskriminuese serbe, si dhe përdorimi i shkrimit shqip po has ende në pengesa të shumta praktike, veçmas në ofiqarinë e Vranjës dhe në organet e tjera shtetërore nën kompetenca të nivelit republikan.

Në aspektin ekonomik, Qeveria në Beograd nuk ka treguar ndonjë ndjeshmëri më të madhe. Jo vetëm që nuk është krijuar ndonjë strategji e hollësishme për t’i rishikuar privatizimet e deritanishme të dyshimta të ndërmarrjeve publike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; por edhe nuk janë alokuar fonde serioze për të ndihmuar zhvillimin e sektorit privat, që lëngon nga mungesa e ndërtimit të kushteve të barabarta dhe të tregut të lirë për zhvillim të sektorit privat, në përgjegjësi të autoriteteve shtetërore, të cilat zbatojnë politika selektive favorizuese për ndërmarrje të caktuara, lojale ndaj politikave qeveritare.

Në fushën e shëndetësisë, organet shtetërore nuk kanë themeluar institucione të mjekësisë sekondare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; e si pasojë; qytetarët e këtyre komunave të cilët vuajnë nga sëmundjet më të rënda, që nuk përfshihen në kuadër të mjekësisë primare, detyrohen që të kurohen nëpër institucione shëndetësore publike dhe private të Serbisë qendrore, të cilat administrohen nga personeli pothuajse tërësisht të përkatësisë serbe.

Gjyqësori dhe prokuroria mbeten edhe më tej çështje diskutabile, si në aspektin e paanshmërisë politike, ashtu edhe në atë të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët dhe grupet shoqërore . Eliminimi i gjykatës themelore në Preshevë dhe mungesa e Prokurorisë themelore për Bujanoc dhe Preshevë, jo vetëm që kanë reflektuar në pjesëmarrjen joproporcionale të shqiptarëve në këto institucione, por ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në pamundësinë e respektimit të gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare në komunikim të qytetarit me organet e gjyqësorit.

Në organet e policisë dhe institucionet e tjera publike, që veprojnë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë në Beograd, numri i shqiptarëve të punësuar mbetet edhe më tej simbolik, meqë nuk ka pasur asnjë projekt që gjendja të përmirësohet, si në aspekt të përfaqësimit të komuniteteve joserbe, e aq më shumë në zgjerimin e kompetencave për policinë lokale. Gjatë këtij viti kanë vazhduar gjithashtu praktikat dhe presionet e thirrjeve në biseda informative nga ana e organeve policore, mbase edhe selektive, ku për të njëjtat dyshime ftohen vetëm se shqiptarët.

Ashtu si më parë, as gjatë këtij viti nuk është proceduar para organeve të drejtësisë, asnjë rast i vrasjes ose i zhdukjes së civilëve, gjatë periudhës së Millosheviqit dhe gjatë konflikteve të armatosura në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe pas tij; duke dëshmuar kësisoj jo vetëm mungesën e vullnetit politik të Serbië për t’u ballafaquar me të kaluarën e saj të errët; por edhe mungesën e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; e cila shpërfaqet edhe në tolerimin e shkeljeve të shumta ligjore, nga ana e institucioneve lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; që karakterizohen me metoda klientaliste dhe nepotiste të rekrutimit të punëtorëve në sektorin e administratës, arsimit, shëndetësisë, kulturës etj; si dhe me mungesë transparence në administrimin e fondeve publike, sidomos të prokurorimeve publike .

Preshevë-Bujanoc, 10 Dhjetor 2015

Shërbimi për Informim i Këshillit për të Drejtat e Njeriut




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *